Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bordin e Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban”.
Rama njoftoi në Facebook se temë kryesore ishte reforma e trafikut urban dhe se BERZH rikonfirmoi mbështetje për blerjen e 30 autobusëve të rinj, që nuk është pezulluar.
Ai shtoi se asistenca teknike e BERZH-it për riorganizimin e linjave ka filluar në shtator dhe se kontratat me operatorët privatë do të nënshkruhen gjatë këtij muaji.
Rama u bëri thirrje qytetarëve të injorojnë dezinformatat që pretendojnë se mbështetja nga BERZH është ndërprerë.