Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nuk do të mbesin pa punë, ndërsa sipas tij qytetarët e kryeqytetit nuk do të mbesin pa shërbimin e grumbullimit të mbeturinave.
Sipas Ramës për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të kompanisë “Pastrimi” për të përmbushur nevojat e kryeqytetit, që nga muaji maj kanë angazhuar operator privat, për të garantuar shërbime cilësore të merituara për qytetarët.
“Angazhimi i operatorit privat dhe furnizimi i Kryeqytetit me kontenierë të rinj kanë përmirësuar dukshëm menaxhimin e mbeturinave”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tej Rama ka thënë se pavarësisht këtyre përmirësimeve, asamblistët opozitarë janë duke u përpjekur që të ndryshojnë rregulloren gjë që siç është shprehur ai do të pamundësonte ofrim-shërbimin nga operatorët privatë.
Po ashtu ai ka shtuar se një vendim i tillë do të rikthente problemet e mëparshme me mbeturinat, duke rrezikuar shëndetin publik dhe cilësinë e jetesës në kryeqytet.
“Shprehim keqardhje për politizimin e këtij shërbimi thelbësor. Penalizimi i qytetarëve për arsye politike është johuman dhe i papranueshëm. Përhapja e dezinformatave se punëtorët do të mbeten pa punë është një përpjekje e ulët për të krijuar frikë dhe panik. Angazhimi i operatorit privat ishte dhe mbetet një mbështetje për kompaninë “Pastrimi” dhe jo një zëvendësim i saj. Kështu, do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen”, ka shtuar Rama.
Ndryshe, punëtorët e kompanisë kanë protestuar të mërkurën para objektit të komunës.