Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, shkruan TelegramNews.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë vlerësoi se ky projektligj synon të garantojë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës.
“Synimi ynë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurimin shëndetësor. Njerëzit në nevojë do të kenë mbrojtje më të mirë sociale, që ndihmon për të zvogëluar si varfërinë, ashtu edhe pabarazinë” – tha Kurti.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e sqaroi rëndësinë e këtij projektligji, ndërsa i gjithë kabineti e votoi këtë projektligj.
“Kjo nismë ligjore është paraprirë nga një proces i detajuar planifikimi, analizimi por edhe diskutimi. Me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë përcakton rregullat për listën e barnave të rimbursueshme që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve dhe këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt”, tha Vitia.
Ligji i Pagës Minimale, Kurti: Rritja e dytë brenda këtij mandati qeverisës (telegramnews.com)