Janë bërë mbi 1 muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje. Në Bashkim Evropian thonë se diskutimet në Këshill po vazhdojnë, derisa nuk japin ndonjë afat se kur do të ketë një vendimmarrje.
Në anën tjetër, në qeverinë e Kosovës thonë se heqja e masave po tentohet të keqpërdoret e zvarritet pa nevojë nga disa vende anëtarë të BE-së. Sipas tyre, meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave.
Në një përgjigje me shkrim, një zëdhënës i BE-së bëri të ditur se diskutimet në Këshill po vazhdojnë sa i përket raportit ku rekomandohet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, mirëpo nuk tregoi se kur do të ketë një vendim final të tyre.
“Raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së, i shprehur në Deklaratën e 3 Qershorit 2023 (Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së) iu dërgua shteteve anëtare dhe diskutimi i parë u zhvillua në qershor. Këshilli e kishte ftuar Përfaqësuesin e Lartë të përgatiste një raport të tillë në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023. Raporti është një dokument konfidencial dhe nuk do të bëhet publik. Përfaqësuesi i Lartë rekomandon heqjen e masave për Kosovën, siç theksoi ai në konferencën për shtyp të FAC më 24 qershor 2024. Diskutimet në Këshill vazhdojnë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Mirëpo largim te masave në formë të menjëhershme po kërkon Klisman Kadiu, këshilltar për medie i zëvedëskryeministrit për integrime evropiane, Besnik Bislimi.
“Masat kanë qenë të padrejta prej ditës së parë. Mbajtja ende në fuqi e këtyre masave përkundër rekomandimit pozitiv nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, z. Josep Borrell tashmë është e pakuptimtë. Ishte vetë letra e z. Borrell e 3 qershorit 2023, ajo që vendosi kushtet për vendosjen e masave ndaj Kosovës, që pasoi me marrëveshjen e Bratisllavës, dhe vetë përfaqësuesi i lartë Borrell i cili i ka propozuar fillimisht ato, ka një muaj që ka konstatuar se të gjitha kushtet janë përmbushur dhe masat duhet të hiqen. Nuk ka patur as qartësi të plotë rreth modalitetit të vendosjes së masave, e tashmë edhe heqja e tyre po tentohet të keqpërdoret e zvarritet pa nevojë. Meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave”, tha ai në një përgjigje me shkrim.
Ai shton se paralajmërimet për hapjen e urës se Ibrit nuk ka asnjë ndërlidhje me zvarritjen e heqjes së masave.
Sipas tij, hapja e urës së Ibrit është e paraparë në marrëveshjet e Brukselit dhe se do ishte absurde mbajtja e masave apo vendosja e tyre ndaj Kosovës, për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Hapja e urës nuk ka ndërlidhje me masat. Ajo është e paraparë në marrëveshjet e Brukselit. Në një rast të tillë të aluduar, do ishte absurde mbajtja e masave apo vendosja e tyre ndaj Kosovës, për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel”, deklaron Kadiu.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi thotë se masat duhet të hiqen, mirëpo thotë se për vendosjen e tyre fajtore është Qeveria e Kosovës.
“Fajtor është qeveria e Kosovës nuk është Bashkimi Evropian, pavarësisht se jemi të bindur se nuk është e drejt që Kosova të ketë masa nga Bashkimi Evropian. Sjelljet e qeverisë së Kosovës kanë bërë që Bashkimi Evropian të ketë masa konkrete dhe të rënda ndaj Republikës sonë. Vlerësojë se duhet të ndryshohet qasja sa i përket institucioneve të BE-së, të ndërrohet mënyra si bashkëbisedojmë dhe komunikojmë. S’duhet asnjëherë që të merren veprime pavarësisht sa sovrane dhe të drejta janë ato nëse nuk janë në përputhshmëri me aleatët tanë ndërkombëtar”, thotë ajo.
Ndërkaq, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se përkundër vonesave Këshilli Evropian shpejtë do të gjejë një konsensus për largimin e masave ndaj Kosovës.
“Është fat i keq që ende nuk është gjetur ky konsensus. S’ka dilemë se shumë shpejtë do të gjendet, porse zvarritjet e deritanishme normalisht se kanë prodhuar konsekuenca”, thekson Hoti.
Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre. /KP