Statistikat e dëmeve të luftës, sipas shenimeve të dala menjëherë pas qershorit të vitit 1999, që janë konstatuar nga komisionet e përbërjeve të komunave, nuk përputhen me statistikat e dëmeve të luftës të dala nga zyrtarët statistikorë që kanë bërë pyetje për dëmet e luftës, gjatë procesit të regjistrimit të popullatës.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (ReKos 2024). Sipas ASK-së, në bazë të rezultateve të para përfundimtare, Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë, numër ky që ka shënuar rënie krahasuar me regjistrimin e popullsisë të vitit 2011. Para 13 vitesh, Kosova kishte 1 milion e 739 mijë e 825 banorë.
Sipas Agjencisë së Statiskikave të Kosovës, Kosova i ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë të regjistruar, por ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, në konferencën për media ku janë prezantuar rezultatet ka thënë se ASK-ja e ka bërë vlerësimin edhe për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku procesi ishte bojkotuar në masë të madhe dhe sipas tij, pas përfshirjes së komunave në veri del se gjithsej banorë rezidentë në Kosovë janë 1,602.515 persona.
Gjatë prezantimit të rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, Kastrati ka treguar edhe dëmet e luftës së fundit.
“Nga dëmet e luftës, gjithsej ekonomi familjarë të prekura janë 154 mijë e 272. Dëmet vetëm në ekonomi familjare, jo në institucione, është vlerësuar mbi 5 miliard euro. Dëmet e luftës në njerëz, të vrarë janë 11 mijë 417 e të zhdukur 1 mijë e 47″, tha ai.
Ndërsa, sa i përket numrit të diasporës të regjistruar, ai tha se procesi është duke vazhduar, mirëpo sipas tij, deri tani nga diaspora janë regjistruar rreth 550 mijë qytetarë.
Gjendja reale e dëmeve nga lufta
Pas vendosjes së administratës së OKB-së (UNMIK) në Kosovës, në mandatin e parë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, ishte themeluar Komisioni për Regjistrimin e Dëmeve të Luftës, i cili kishte për detyrë hulumtimet e sakta në terren, fshat më fshat, por ai dështoi për shkaqe financiare që atëbotë i kishte në dorë UNMIK-u.
Puna e komisionit në terren vlerësohej të kushtonte rreth 3 -5 milionë DM.
Megjithatë, statistikat e përafërta me gjendjen e dëmeve thonë se dëmet ekonomike të luftës, Kosovës i kanë shkaktuar 22 miliardë euro dëme.
Kryetari i atij komisioni ishte emëruar Gjymshit Duriqi, i cili e kishte organizuar punën në terren, por mungesa e mjeteve e ka lënë Kosovën pa statistika të sakta zyrtare të dëmeve të luftës.
Sipas ekspertëve ekonomikë statistika reale e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga Serbia gjatë kohës së luftës, mund të ishte temë në bisedimet e Brukselit, duke ndikuar në ndryshimet e rezulatateve të dialogut Kosovë-Serbi./Telegram News