Paralajmërimi i Qeverisë për rritje të pagave në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm po konsiderohet fushatë zgjedhore. Kështu vlerësojnë njohës të ekonomisë, të cilët theksojnë se kjo rritje është e pamjaftueshme dhe e dështuar.
Askush s’i beson më Qeverisë Kurti për rritje pagash në sektorin publik, ndërsa ai privat më as nuk përmendet, derisa i njejti gjatë fushatës zgjedhore të kaluar ishte premtuar të merrte formë të mbrojtjes me ligj.
Përveç se është premtim elektoral i stilit të Kurtit dhe LVV-së, ekonomistët kanë thënë se në pikëpamjen jurdirike kjo rritje pagash nuk mund të ndodh sepse shkel kushtetutën, pasi është prekur njësia e koeficientit e njësia për t’u ndryshuar duhet të miratohet në Kuvend.
Profesori i ekonomisë Median Hashani ka thënë se premtimi i rritjes së pagave në janarin e vitit 2025, është i jashtëligjshëm .
“Koeficienti mund të përcaktohet nga Qeveria, por njësia duhet të miratohet në Kuvend”, ka thënë Hashani, duke kontestuar propozimin e Kurtit për rritje pagash nga muaji janar i vitit 2025.
Eksperti Selatin Retkoceri: Qeveria ka eskivuar, ka premtuar rritje por, kjo rritje as për së afërmi nuk e mbulon inflacionin dhe rritjen e çmimeve që kanë ndodhur
Analisti dhe eksperti për ekonomi Selatin Retkoceri ka thënë për Telegram News se rritja nuk është ashtu sikur duket në shpjegimet e Kurtit . Lidhur me propozimet e Kurtit ai thotë:
“Kryeministri paralajmëron se vlera e koeficentit të pagave për një njësi mbetet e njejtë dmth. 110.00€, derisa propozohet rritja e njësisë së koeficentit për 0.50€ nga 1 janari 2025, si dhe 0.50€ nga 1 korriku i vitit 2025. Kjo i bie që rritja e sasisë së koeficentit brenda 6 muajve do të jetë për 1 njësi më e madhe se sa njësia momentale.
Më duhet të pranoj se kjo formë e rritjes lineare të pagave ju shkon në favor atyre punëtorve që kanë sasi të koeficentit të ulët. Në këtë rast mund të marrim një shembull se si rritet paga linearisht për secilin punëtor të sektorit publik.
Nëse e kemi një njësi të koeficientit 5.60, rritet për 0.50, që i bie se njësia nga 1 janari do të jetë 6.10 e shumëzojmë me vlerën e koeficentit del se paga që ishte 616.00€, pas aplikimit të rritjes paga me këtë koeficent do të jetë 671.00€.
Marrim edhe një shembull të njësisë së koeficentit prej 16.00, e rrisim për 0.50 del njësia e re prej 16.50. Nëse e llogarisim pagën momentale me koeficentin ekzistues i bie 16.00 x 110.00= 1,760.00,
Duhet ta pranojmë se ky format i rritjes lineare të pagave është i drejtë dhe në përqindje i bie se pagat me njësi më të ulët rriten dukshëm ma shumë në përqindje se sa pagat e niveleve të larta menaxheriale.
Qeveria me këte rast ka eskivuar, apo ka luajtur një lojë e cila kursen buxhetin, por nuk e mbulon shkallën e inflacionit që për këto 4 vite ka qenë më i lartë se 20%. Derisa të gjitha çmimet e konsumit dhe shportës së konsumatorit janë rritur nga 30 deri 100%, rritja e pagave duke manipuluar me njësinë e koeficentit, mesatarisht kur të rritet paga edhe në muajin korrik të vitit 2025, assesi nuk do ta arrijë mesataren prej 10% të rritjes së pagave, që do të thotë se kjo rritje e propozuar do të jetë vetëm 40% e mbulimit të inflacionit që ka ndodhur në Kosovë për këta 4 vitet e fundit”, ka thënë analisti Selatin Retkoceri.
Propozimi për rritje page në fushatë, është mashtrim
Analistët ekonomikë propozimin për rritje të pagave e quajnë të dështuar, pasi siç thonë ata nuk kanë një planifikim makroekonomik të ndarjes buxhetore të drejtë, dhe ndarje buxhetore kundrejt vlerave dhe rritjeve të shpenzimit.
Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë se kjo rritje e pagave është e pasinqertë, pasi po vije në kohën e zgjedhjeve.
Rritja e pagave nga ana e Qeverisë, vlerësoj se është shumë e pasinqertë, për faktin se kjo rritje duhet t’i kujtohet qeverisë së është tipik në kohën e zgjedhjeve, për faktin se tanimë dihet data e zgjedhjeve. Ndërsa, gjatë gjithë mandatit ishte aq shumë koprrace dhe në fakt injoronte çdo kërkesë të gjithë sindikatave dhe mund të citojmë kryeministrin aktual kur injoronte kërkesat e sindikatës së arsimit, që është shprehur në atë mënyrë “mi jep 100 euro”, ndërsa sot e ka hapur kuletën e shtetit. Çdo ditë dhe çdo muaj po tenton t’i rrisë pagat duke përfituar për interes politik dhe të fuqizimit të subjektit politik aktual. Por duhet të kenë të qartë që kjo qeveri me këtë rritje të pagave nuk ka menduar edhe faktorin tjetër ekonomik, që do të nxitë inflacionin ekonomik, sepse bizneset më të nuhatur fuqizimin e pagës, tentojnë t’i rrisin pagat, dhe në këtë drejtim, do të përfitojë politikisht qeveria aktuale, ekonomikisht do të përftojnë bizneset, ndërsa qytetari sërish nuk do të mund të blejë diçka më shumë, por ato çka i merr do t’i shpenzojë në shportën e konsumit”, thotë Kadriaj.
Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Adem Qorrolli konsideron se është një dështim i këtyre institucioneve që nuk kanë planifikim makroekonomik të ndarjes buxhetore të drejtë.
“Parashohim një rritje të koeficientit kundrejt shpenzimeve, kundrejt rritjeve, taksave shtetërore dhe rritjes së çmimeve dhe të konsumit. Mund të them se është edhe një dështim i këtyre institucioneve që nuk kanë një planifikim makroekonomik të ndarjes buxhetore të drejtë, dhe ndarje buxhetore kundrejt vlerave dhe rritjeve të shpenzimit. Është edhe një paradoks i shkallëve tatimore, sepse më nuk e kemi shkallen tatimore me 4 për qind, dhe tashmë këto të hyra kur goditen edhe me 8 për qind, kjo vlerë do të ulet gradualisht edhe në taksat apo pagat e shërbyeseve civil. Tashmë kur kemi edhe një rritje të tatimit në pronë prej 110 apo 210 për qind për biznese, dhe rritjes së energjisë elektrike të vazhdueshme, besoj se kjo është ofenduese për çdo shërbyes civil, nuk është ajo e kënaqshmja dhe e pritshmja, por nuk është as edhe e mjaftueshmja, dëshirueshmja, të paktën për të mbijetuar dinjetetshem. Kështu, me shkatërrimin e sektorit privat, tashmë po kalohet në institucionet shtetërore, dhe kjo është emergjente dhe e relativisht e rrezikshme për vendin”, thotë Qorrolli. /Telegram News