Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar uniforma ushtarake, municion dhe pajisje të tjera ushtarake në Zubin Potok.
Në komunikatën për media të PK-së thuhet se i dyshuari nuk është hasur në lokacionin e dyshuar por që në pronën e tij në mal janë gjetur pajisje ushtarake të mbuluara me dhe.
“Me datën 20.11.2024 rreth orës 12:00 njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikeve – Mitrovicë Veri në koordinim me njësitë policore Mitrovicë Veri me autorizim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore Mitrovicë në fshatin Drobnjak Komuna Zubin Potok ka kërkuar të dyshuarin me iniciale ( S.M.) si person në kërkim në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin Potokut i cili rast ishte hetuar në vitin 2018”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Tutje në njoftim thuhet se dëshmitë e sekuestruara janë “uniformë ushtarake – Pjesë të pushkëve të gjata – Jelek taktik – Gas maska – Një tytë e pistoletës, – Një palë pranga dhe – 1471 fishekë të kalibrave të ndryshëm”.
“I dyshuari nuk është gjetur në lokacionin ku dyshohej se mund të jetë, mirëpo në pronën e tij gjegjësisht në mal në një vend të mbuluara me dhe janë gjetur uniforma dhe pajisje tjera ushtarake. Në vendin e ngjarjes është thirrë njësia e specializuar respektivisht njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive, ku gjatë kontrollit edhe në 3 (tri) vende tjera të groposura janë gjetur dhe sekuestruar pajisje të ngjashme. Dëshmitë të cilat janë gjetur dhe janë marrë nga Policia janë: – Uniformë ushtarake – Pjesë të pushkëve të gjata – Jelek taktik – Gas maska – Një tytë e pistoletës, – Një palë pranga dhe – 1471 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ofroj shërbim ndaj qytetarëve në gjithë territorin e vendit pa dallim”, vijon njoftimi.