Policia e Kosovës ka dal sot me raport për vrasjen që tronditi mbrëmë qytetin e Klinës.
Sipas policisë, njëra nga viktimat ka vdekur në vendngjarje teksa tjetri rrugës për në spital.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar arma e zjarrit me një karikator me katër fishekë dhe tri gëzhoja.
I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Sheshi Mujë Krasniqi, Klinë 13.11.2024-17:17. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë. Si pasojë, njeri prej tyre ndërron jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e konstaton ekipi mjekësor, ndërsa tjetri dërgohen në Spitalin e Pejës ku për shkak të plagëve të marra ndërron jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse, arma e zjarrit me një karikator me katër fishekë dhe tri gëzhoja konfiskohen, ndërsa me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë dërgohen në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Viktimat janë kushërinj mes vete. Viktimat e këtij rasti janë dy të rinjtë A.SH. dhe R.SH po nga fshati Jashanicë.
Reporteri.net nga burime brenda institucioneve të sigurisë mëson se i dyshuari për vrasjen është Jon Hoti nga fshati Jashanicë, i lindur në vitin 2005.
Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, është deklaruar për media nga vendi i ngjarjes.
Prokurorja Gashi tha se viktimat e vrasjes janë të rinj në moshë, njësoj si i dyshuari i cili është arrestuar tashmë.
“Rast tragjik që ka marrë jetën e dy personave të ri, ajo çka mund të shtojmë detajet nuk i kemi – jemi në vazhdimësi të mbledhjes së provave-ekzaminimit të vendit të ngjarjes. Trupat e pajetë është urdhëru që të dërgohen për autopsi në IML në Prishtinë. I dyshuari edhe ai i moshës së re është arritur të arrestohet falë punës së shpejtë të policisë”, tha prokurorja Gashi para mediave.
E pyetur nga gazetarët nëse viktima me të dyshuarit kanë pasur probleme mes vete në të kaluarën, ajo tha: “Është shumë herët për të dhënë konstatime për motivin që i ka pru deri këtu”.
E njëjta u pyet nëse të rinjtë kanë qenë të përfshirë edhe më parë në ndonjë vepër penale, prokurorja tha: “Jemi duke i nxjerrë të dhënat nga baza e policisë qoftë për viktimat ose të dyshuarin”.
Për rastin reagoi edhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj,.
Elzaj ka zbuluar se viktimat janë Rexhep dhe Albison Shlivova nga fshati Jashanicë, /
Ai u ka shprehur ngushëllime familjes Shlivova.
“Me dhimbje e pikëllim të madh kam marrë lajmin për rastin e sotëm, ku mbetën të vdekur Rexhep dhe Albison Shlivova nga fshati Jashanicë. Ky lajm i papritur e i kombshëm tronditi thellë jo vetëm familjen e dy të ndjerëve, por na preku thellë të gjithëve. Në emrin tim dhe të komunës së Klinës i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Shlivova, miqve dhe të gjithë atyre që i kanë njohur Rexhepin dhe Albisonin!”, ka shkruar Elezaj.