Kandidati për deputet nga PDK-ja, Bekim Haxhiu, ka denoncuar abuzimet me buxhetin e shëndetësisë, duke nxjerrë në pah keqpërdorimet në tenderët për renovimet në disa klinika të Kosovës. Sipas Haxhiut, vetëm në 8 pozita të Klinikes së Gjinekologjisë janë zhvatur 506,885 euro përmes një serie kontratash të dyshimta.
Në një analizë të detajuar të kontratave, Haxhiu ka theksuar se çmimet për renovimet kanë qenë shumë më të larta se çmimet reale të tregut. Ai dha shembuj konkretë, si demolimi i ventilimit në Klinikën e Gjinekologjisë që ka kushtuar 32 euro për metër katror, ndërsa në kontratën për renovimin e Onkologjisë ka kushtuar vetëm 3 euro për metër katror, duke rezultuar 1066% më shtrenjtë. Haxhiu vuri në dukje se abuzimet përfshijnë edhe çmime të ekzagjeruara për punët e mureve, dyerve, plafoneve dhe materialeve të tjera.
Sipas tij, ky është një rast i qartë i zhvatjes së fondeve publike, duke u bërë një abuzim masiv me paratë e qytetarëve përmes tenderëve të dyshimtë. Haxhiu publikoi edhe një krahasim të detajuar midis çmimeve të përfshira në kontratat e renovimeve dhe çmimeve reale të tregut, duke nxjerrë në pah diferencat e mëdha që tregojnë se si janë shpenzuar paratë e qytetarëve.
Ai gjithashtu theksoi se kompania që fitoi tenderin për renovimin në Klinikën e Gjinekologjisë dhe ajo që fitoi tenderin në Urologji, kanë formuar një konzorcium dhe kanë fituar bashkë edhe tenderin për renovimin e Klinikës së Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë, duke përforcuar dyshimet për lidhje të paligjshme dhe abuzive mes kompanive dhe qeverisë.
“Ky është një abuzim i rëndë me buxhetin e Kosovës dhe unë angazhohem të përmbys këtë sistem të dëmshëm dhe të sjell një politikë të re të transparencës dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e fondeve publike”, ka përfunduar Haxhiu.