Sot një plagosje ka ndodhur në Prishtinë e që dyshohet se djali aksidentalisht e ka plagosur nënën.
Rastin për Telegram News e ka konfirmuar zëdhënësja i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 12:20, kemi marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha zëdhënësja.
Ahmeti tha se e lënduara është dërguar për tretman mjekësor.
“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person. E lënduara është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në po merren me rastin”, shtoi ajo. /TelegramNews/