Të premtën Ministrat e jashtëm e NATO-s do të diskutojnë për një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, që pritet të miratohet gjatë muajit korrik në Uashington.
Sekretari Stoltenberg ka propozuar që ndihma ushtarake për Kievin të jetë e përcaktuar për një afat më të gjatë kohor, krahas një zotimi shumëvjeçar financiar. Pikat kryesore të planit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg si dhe çështjet që duhet të zgjidhen para takimit të nivelit të lartë më 9-11 korrik, sipas zyrtarëve dhe diplomatëve janë:
1.Sekretari Stoltenberg ka propozuar që NATO-ja të marrë përsipër bashkërendimin e ndihmës ushtarake ndërkombëtare për Ukrainën, duke i dhënë aleancës një rol më të drejtpërdrejtë në luftën kundër sulmit të Rusisë pa i zotuar forcat e saj në këtë konflikt.
2.NATO-ja do të marrë përsipër bashkërendimin e ndihmave të armëve dhe furnizimeve që tani bëhet përmes Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i përbërë nga rreth 50 shtete, i ashtuquajtur grupi i Ramshtajnit, sipas bazës ajrore amerikane në Gjermani, që ishte edhe vendtakimi i parë i tyre.
3.Sekretari Stoltenberg ka propozuar që aleatët të ndërmarrin një angazhim shumëvjeçar financiar për ndihmën ushtarake Ukrainës, në mënyrë që ky vend të mund të planifikojë më mirë dhe për t’i dërguar sinjal Kievit dhe Moskës se Perëndimi mbetet i angazhuar për një afat të gjatë.
4.Qëndrimi zyrtar i NATO-s është që Ukraina një ditë do të anëtarësohet në aleancë, por jo ndërsa është në gjendje lufte.