Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka çmuar lart rolin dhe kontributin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në luftën e popullit shqiptar për liri e pavarësi në 25-vjetorin e çlirimit.
Ai pas takimit me ish-kryeministrin britanik, të cilit i ka ndarë çmimet “Çelësi i Qytetit” dhe “Qytetar nderi i Kryeqytetit”, tha është kënaqësi që ka pritur në takim një personalitet të madh botëror sikurse Tony Blair.
“Intervenimi në Kosovë për çlirimin e Kosovës është shumë i nevojshëm dhe i drejtë për Britaninë, për Amerikën dhe krejt botën dhe i falënderojmë nga zemra që sot është këtu dhe mundemi personalisht ta nderojmë me çmimin që ia dhamë si qytetar i nderit i kryeqytetit…Tash jeni (i drejtohet Blair) qytetar nderi i Prishtinës dhe mund edhe ta thirrni edhe prishtinas. Ashtu i quajmë qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Rama.
Ish-kryeministri Blair ka shprehur falënderimin e tij për ndarjen e çmimeve nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama, teksa ka shprehur besimin se Kosova ka një të ardhme të ndritur si shtet i pavarur.
“Ky është një simbol shumë i rëndësishëm për mua, por do t’i shtojë diçka asaj që thashë në sallë kur fola para kuvendit komunal dhe kjo ka të bëjë me vetë Prishtinën… Mendoj se është e rëndësishme që ata prej neve që ishin në krah të Kosovës, një krenari me ato ditët e errëta para 25 vjetësh është me rëndësi që ne qëndrojmë me ju në prag të diçka shumë optimiste në këtë kapitull të ri të historisë së vendit dhe dua të theksoj se për mua dhe institutin tim për punën që bëjmë tash, do t’ju ndihmojmë në çfarëdo mënyre të mundshme, sepse sa më të suksesshëm që të jeni ju, do të jetë aq më mirë për popullin këtu”, ka thënë Blair.
Ish-kryeministri Tony Blair ndodhet për vizitë në Kosovën me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit. /Kp