Telekomi i Kosovës ka njoftuar se sërish i janë bllokuar llogaritë nga Përmbaruesi Privat, lidhur me rastin e Z-Mobile.
Në njoftim thuhet se Menaxhmenti bashkë me Bordin e Drejtorëve, do të analizojnë dhe të ndërmarrin të gjitha hapat me qëllim të zhbllokimit të llogarive të bllokuara bankare.
“Ky bllokim i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës nga ana e Përmbaruesit Privat është i bazuar në vendime tërësisht të padrejta, andaj Telekomi i Kosovës do të vazhdojë të kundërshtojë këto vendime që janë pasojë e një kohe dhe një keq menaxhimi të ndikuar skajshëm nga politika e asaj kohe edhe nga interesa të fuqishme private”, thuhet në njoftim.
Më tej, Telekomi thotë se ky rast është pasoja e dytë e një kontrate të “dëmshme” të vitit 2009.
“Siç është i informuar publiku tashmë, ky rast është pasoja e dytë më e madhe e një kontrate tejet të dëmshme të vitit 2009, përmes së cilës Telekomi i Kosovës, deri tani, përveçse është dëmtuar financiarisht me mbi 100 milionë euro, është detyruar padrejtësisht të paguajë edhe mbi 60 milionë euro të tjera përmes proceseve gjyqësore që ishin kurdisur përmes kësaj kontrate. Me këtë bllokim të llogarive Përmbaruesi Privat synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit të Kosovës, dhe për interes të Z-Mobile, edhe rreth 12 milion euro borxh kryesor”, thuhet tutje. /TelegramNews/