Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 226 të Qeverisë së Kosovës, ka potencuar se Telekomi i Kosovës falë mbështetjes së ekzekutivit ka dalë nga humnera dhe po vazhdon zhvillimin.
“Zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektronike po merr hov të ri, në shkallë regjioni Kosova është me përqindjen më të lartë të shtrirjes të rrjetit dhe shërbimeve të internetit në amvisëri dhe biznese”, ka njoftuar Kurti.
Telekomi i Kosovës në partneritet me gjigandët e teknologjisë nga Suedi dhe Kroacia, sipas Kurtit, po i modernizojnë shërbimet e telefonisë mobile 4G dhe 5G në tërë Kosovën.
“Këto investime përveç se po përmirësojnë shërbimet e operatorit tonë publik kanë prodhuar efekte pozitive edhe në sektorin privat. Edhe operatori tjetër po e zgjeron shtrirjen e rrjetit të shërbimeve 5G. Nga kjo konkurrencë përfitojnë qytetarët dhe bizneset”.
Në fjalën hyrëse të mërkurën, Kurti ndër të tjera ka njoftuar se Kosova është në proces të blerjes së objekteve të ambasadave në shtete të ndryshe.
Sipas Kurtit, Kosova aktualisht është në fazë të blerjes së objekteve për ambasada në Itali, Turqi, Francë, Gjermani e Kanada.
“Pas blerjes së objektit të Ambasadës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar, në Kroaci, Senegal dhe tash në Strasburg të Francës, në proces të blerjes janë objektet e ambasadave në Itali, Turqi, Francë, Gjermani dhe Kanada”, tha Kurti.