Përfaqësuesi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, pas takimit me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar para mediave se aktualisht nuk ka mungesë të energjisë elektrike në vend. Sipas tij, rrjeti është duke përballuar një ngarkesë të madhe, e cila ka çuar kapacitetet në limitet maksimale.
Ai ka theksuar se KESCO, si institucion përgjegjës për furnizimin e energjisë së munguar, është duke importuar energjinë e nevojshme, ndërsa KOSTT-i po shfrytëzon të gjitha kapacitetet balancuese në bashkëpunim me Shqipërinë.
“Ndërtimi i nënstacionit në Fushë Kosovë tashmë është finalizuar, duke zgjidhur problemet e furnizimit në zonat e Fushë Kosovës dhe Obiliqit. Për nënstacionin në Ferizaj, projekti është në fazën e fundit të punimeve dhe shpresohet të përfundojë deri në fund të këtij viti”.
“Nuk ka mungesë të energjisë elektrike në kuptimin që prodhimi është maksimum, ne po operojmë me katër blloqe, përveç një blloku që nuk është në funksion. Po ashtu KESCO-ja si përgjegjës për furnizim të mungesës, është duke importuar energjinë e munguar, dhe KOSTT-i është duke i shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e tij balancuese me Shqipërinë që i kemi në dispozicion”.
“Pra nuk bëhet fjalë për mungesë të energjisë, por ngarkesë e cila ka prekur cepin maksimal të rrjetit. Problemi është i përkohshëm dhe pritet që deri javën tjetër, me uljen e ngarkesës, të mos ketë më vështirësi në furnizim. Çdo prishje, sado e vogël, mund të ketë ndikim, por nuk bëhet fjalë për mungesë energjie, por vetëm për ngarkesë”, ka thënë ai.