Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se situata me energjinë e elektrike në Kosovë është si rezultat i qeverisjes së paaftë.
Bajrami ka thënë se qindra miliona euro të shpenzuara për efiçiencë të energjisë që rezultuan me rritje të konsumit të energjisë.
“Paradoksale. Qindra miliona euro të shpenzuara për efiçiencë të energjisë që rezultuan me rritje të konsumit të energjisë. Ky është rezultati i një qeverie të paaftë, me ministra praktikantë që s’kanë vizion as plan. Taksat e qytetarëve u shpenzuan pa dhënë ndonjë rezultat, faturat e tyre për energji u dyfishuan e zona të tëra kanë ngelë pa energji në këto ditë të ftohta dimri. Mjaft më me dështime! Koha për llogaridhënie dhe qeveri të aftë.”, shkroi Bajrami.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë ditës së sotme tha se është e pasaktë që të lidhet subvencionimi i pajisjeve efiçiente me ngritjen e ngarkesës në rrjetin energjetik pas problemeve të fundit me rrymën në vend.
“Ka pasë keqinformim. Nuk po them nga mediat, por në opinionin publik. Sigurisht që kur janë dizajnuar skemat e subvenciomit është menduar çdo detaj, prandaj që ka qenë kushti që nuk mund të përfitoni nga pajisjet efiçiente përveçse nëse jeni konsumator që është duke u ngrohur me energji elektrike me kalda, me pajisje jo efiçiente dhe nuk keni asnjë opsion tjetër, nëse i shihni kriteret e skemës, këto kanë qenë kriteret e skemës”, tha ministrja pas një takimi me përfaqësuesit e KOSTT dhe KEDS.
Ajo tha se përfituesit e këtyre skemave kanë konsumuar 19% më pak mesatarisht sesa në vitin paraprak.