Partia Demokratike e Kosovës, thotë se tri komunat e udhëhequra nga ta, kanë arritur maksimumin prej 100 pikëve në Indeksin e Transparencës Buxhetore për vitin 2023.
Derisa në njoftimin e tyre, kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për Komunën e Drenasit, Komunën e Vushtrrisë dhe Komunën e Hanit të Elezit.
Madje sipas tyre, ky model qeverisës i PDK-së, është transformues, zhvillimor dhe gjithëpërfshirës.
“Tri komuna të udhëhequra prej kryetarëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës: Komuna e Drenasit, Komuna e Vushtrrisë dhe Komuna e Hanit të Elezit kanë arritur maksimumin prej 100 pikëve në Indeksin e Transparencës Buxhetore për vitin 2023, raport i përvitshëm i Institutit GAP që synon të rrisë llogaridhënien dhe qasjen e qytetarëve në informacionet buxhetore në nivel lokal. Këto komuna janë pasuar nga Komuna e Ferizajt që është vlerësuar me 95 pikë, si dhe ajo e Kaçanikut me 94 sosh, të cilat po ashtu janë ranguar lartë në këtë raport. Për shkaqe teknike, Komuna e Mitrovicës, e Prizrenit dhe e Skenderajt nuk kanë qenë pjesë e gjetjeve të këtij raporti. Ky është modeli qeverisës i PDK-së: transformues, zhvillimor dhe gjithëpërfshirës, i cili i duhet Kosovës edhe në nivelin qendror”, thuhet në postimin e PDK-së.
Me këtë rast, PDK ka përgëzuar kryetarët Ramiz Lladrovci, Ferit Idrizi dhe Mehmet Ballazhin, për përkushtimin dhe angazhimin në ndërtimin e besimit te qytetarët.