Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se do t’i prezantojë kërkesat e Serbisë, për shkak të “sulmeve substanciale dhe brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.
Ai ka thënë se në 72 orët e ardhshme do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.
Përveç me Lajçakun, ai është takuar edhe me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Vuçiq ka thënë se Serbia është gjithmonë gati për dialog.
“Mirëpo, Serbia nuk është gati dhe nuk do të lejojë persekutimin e popullsisë serbe, dhe është e qartë që ky është synimi i vetëm i Qeverisë së Kurtit”, ka thënë ai duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, raporton Rel.
Presidenti serb ka thënë se në tetor do të prezantojë para Parlamentit serb “propozime me ndikim të gjerë”.
Pas takimit me Vuçiqin, Lajçak shkroi në X se udhëheqësi serb ngriti “shqetësime të forta lidhur me situatën e serbëve në Kosovë”.
“Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog”, shkroi në X emisari evropian.