Parlamenti Evropian do të zhvillojë sot seancën e parë të mandatit të ri në Strasburg, ndërsa ligjvënësit pritet të rizgjedhin si presidente Roberta Metsola.
Metsola nga Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë do të marrë mbështetje për një mandat tjetër dyvjeçar e gjysmë pasi grupi i saj fitoi 188 vende në zgjedhjet evropiane në qershor.
Socialistët dhe Demokratët e qendrës së majtë (S&D) dolën në vendin e dytë me 136 vende, ndërsa të Gjelbrit dhe grupet liberale “Renew Europe” humbën mbështetjen dhe vendet.
Rezultati i zgjedhjeve u karakterizua nga një zhvendosje djathtas në Bashkimin Evropian dhe më pas riorganizimi goditës i grupeve të ekstremit të djathtë në parlament.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán krijoi një aleancë të re të partive të ekstremit të djathtë, duke bashkuar partinë e tij “Fidesz”, partinë e ekstremit të djathtë “Liga”, e cila është pjesë e qeverisë italiane dhe “Tubimin Kombëtar” të Francës (RN), për të formuar grupin e tretë më të madh të parlamentit, “Patriotët për Evropën”.
Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë njoftoi gjithashtu formimin e një grupi të ri të krahut të djathtë të quajtur “Evropa e Kombeve Sovrane”.
Grupi është aktualisht më i vogli në legjislaturën e BE-së, i përbërë nga 25 legjislatura të BE-së, 14 prej të cilave janë nga AfD/ATSH