Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurtit që të ndalin ofendimet e personave nga subjektet politike ndaj tij.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se nuk e meriton këtë trajtim dhe shtoi se ia kanë ofenduar edhe fëmijët.
“Nuk kam ndërmend të merrem me njerëzit tuaj, por kam një lutje: ju lutem frenoni njerzit e juaj, ata që po më ofendojnë, sepse deklaratat e pavërteta që po bëjnë nuk po ofendojnë vetëm mua, por edhe fëmijët e mi. Nuk besoj se këta njerëz me shpifje e gënjeshtra ju bëjnë nder me keto veprime të ulëta.
Unë mendoj se nuk e meritoj këtë trajtim!”, ka shkruar ai.
Më tej, kreu i AKR-së tha se manipulimi me emrin e tij nuk është njerëzor dhe se mund të ketë efekte ligjore.
“Nga ana tjetër, më duket se nuk po zgjidhni asgjë me këtë qasje, dhe nëse qëllimi është të më tregoni mua diçka, mua më mjafton që unë e di kush jam. Nëse doni dëshmi për ndonjë gjë që ju intereson, unë mund t’ua sjelli ato ( nese kam njohuri), përndryshe mbetët që drejtesija të ndërmjetësojë. Manipulimi me emrin tim nuk është as njerëzor por mund të ket edhe efekte ligjore për njerëzit e juaj. Nuk kam qëllim t’ju edukoj ose të ndërhyj në mendësitë tuaja, por para se të më ofendoni, verifikoni vërtetësinë e fakteve”, ka shkruar tutje Pacolli.