Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vizituar sot Rahovecin dhe Krushën e Madhe.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se është pritur ngrohtësisht nga qytetarët dhe se besimi i tyre është frymëzim për LDK-në.
“Sonte, takimet i vazhdova në Rahovec në qytet e në Krushë të Madhe, ku u mirëprita ngrohtësisht nga qytetarë të përkushtuar dhe të ndershëm të kësaj ane. Besimi i tyre i vazhdueshëm ndaj vizionit tonë për një Kosovë të zhvilluar është frymëzim për rrugën që kemi përpara”, tha ai.
Kreu i LDK-së tha se qytetarët po kërkojnë zgjidhje konkrete për sfidat e tyre të përditshme.
“Në çdo takim që po zhvillojmë, gjithandej vendit, ndiejmë shpresën që po rritet mes qytetarëve tanë. Ata kërkojnë zgjidhje konkrete për sfidat e tyre të përditshme, dhe janë të etur për ndryshimin që do ta sjellim bashkë. Kjo shpresë, dhe mbështetja që po e ndjejmë, janë shenja të qarta se momenti për ndryshim është afër. Me këtë energji, dhe me përkushtimin e secilit prej nesh, do ta ndërtojmë së bashku Kosovën që duam”, tha ai.