Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nga Gjermania ka folur për paralajmërimin e Vuçiq i cili pritet që nesër t’i drejtohet Serbisë me një konferencë siç e quan ai “çështjen e Kosovës”.
Osmani tha se Vuçiqi mund të shpallë çfarë të dojë, por tha se realiteti i përhershëm është se Kosova është dhe do të mbetet përherë shtet i pavarur, sovran, demokratik e që do fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon.
“Shpresoj që këto fjalë të Vuçiqit, që tregojnë mendësinë e tij të vërtetë, që është trashëgimi e Millosheviqit, po dëgjohen nga bota mbarë, në veçanti nga disa që po shpresojnë se ai derisa e mban lëkurën e qengjit, nuk është ujku përbrenda. Në fakt, është i njëjti njëri, që ka qenë ministër i Propagandës së Millosheviqit, që ka menduar vetëm si t’i sulmojë e t’i shkatërrojë të tjerët. Kjo është logjika e vetme që mbizotëron në politikën e Serbisë për momentin dhe shpresoj që sa më parë që ta shohim dhe ta pranojmë këtë realitet, edhe shumë nga miqtë tanë në Evropë, aq më parë dhe aq më shumë do të kontribuojnë për paqen afatgjate në rajonin tonë”, tha Osmani
Osmani ka thënë se çfarëdo që Vuçiq po paralajmëron, ai do të përballet me vendosshmërinë tonë.
“Vuçiq dëshiron ta kthejë rajonin mbrapa, por do të përballet me vendosshmërinë e institucineve dhe popullit të Kosovës. Fytyra e vërtetë e Vuçiqit është ajo që i kërcënon shtetet fqinje me okupim. Nuk ka Vuçiq tjetër, nuk ka Vuçiq pro-paqe, por ka Vuçiq që shkakton destabilitet, që do ta kthej rajonin prapa, por assesi nuk do ta lejojmë, çka do që mund të synojë, do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të Kosovës sepse nuk ka kthim mbrapa, nuk lejojmë kthim prapa”, tha ajo në Edicionin Special në KlanKosova.