Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në festën e Zojës së Madhe në Letnicë të Vitisë.
Gjatë festës Presidentja tha se në këtë fshat, Nënë Tereza nisi rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm për t’i dalur në ndihmë atyre që kishin nevojë.
Tutje Osmani shtoi se Letnica nuk është thjeshtë vetëm një fshat por është një vend ku takohen e shenjta dhe e zakonshmja.
“Sot e nderojmë fshatin Letnicë ku e shenjta jonë nisi rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm. Pikërisht në këtë fshat Nënë Tereza e sotme e dëgjoi thirrjen që do ta qonte në një jetë shërbimi, dhembshurie dhe besimi të palëkundur. Në këtë festë ne sot i dedikohemi asaj, shpirtit të saj të bardhë dhe shembullit që ajo dha çdo kund në botë. Letnica nuk është thjeshtë vetëm një fshat por është një vend ku takohen e shenjta dhe e zakonshmja. Ku një jetë e thjeshtë gërshetohet me një rrugëtim jetësor të jashtëzakonshëm. Pikërisht këtu Nënë Tereza përqafoi misionin e saj, një mision që do të sillte dritë në skajet më të errëta të botës”, tha Osmani.
Përveç tjerash e para e vendit, Vjosa Osmani tha se festa e Zojës së Madhe kujton vlerat universale për të cilat punoi, jetoi dhe u përjetësua Nënë Tereza.
“Kjo festë sot, festa e Zojës së Madhe na kujton vlerat universale që na lidhin të gjithëve së bashku. Dashurinë, dhembshurinë dhe përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, vlera këto për të cilat punoi, jetoi dhe u përjetësua Nënë Tereza. Po për paqe po punojnë edhe shumë njerëz që sot i kemi në mesin tonë. Nga institucionet tona e deri tek ushtarët e KFOR-it, që sot janë në mesin tonë që pareshtur e ndihmojnë Kosovën që të mbetet vend i paqes, sigurisë dhe prosperitetit”, potencoi Osmani.
Presidentja mori pjesë në këtë organizim me ftesën e kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti.