Më një mesazh paqeje për miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është vendosur një baner në Prishtinë me fotografitë e kandidatëve për president të SHBA-së, Kamala Harris dhe Donald Trump.
Derisa në Amerikë po mbahen zgjedhjet presidenciale, ky baner i cili u vendos krah atij për mbështetje për Ukraninë “Free Ukranine”, është iniciativën e Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”.
Hulumtuesi i lartë në Octopus, Gurakuç Kuçi tha se populli i Kosovës qëndron gjithmonë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa theksoi rëndësinë e zgjedhjeve presidenciale që po mbahen atje.
Kuçi potencoi se përveç pavarësisë, SHBA-në me Kosovën i bashkon vlera, dinjiteti dhe qëndresa për vetëvendosje.
“Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo herë janë një ngjarje shumë e rëndësishme për globin, e veçanërisht për Kosovën…Populli i Kosovës qëndron gjithmonë krah popullit amerikan, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është shumë falënderues për të gjitha veprimet pro Kosovës që i kanë bërë SHBA-të në shekullin e fundit. SHBA-në dhe Kosovën nuk i bashkon vetëm ngjarjet e fundit, pavarësia dhe intervenimi i NATO-s. SHBA-në me Kosovën i bashkon vlera, dinjiteti, e qëndresa për vetëvendosje”, u shpreh Kuçi.
Ndër të tjera, Kuçi tha se përkrahja e Kosovës nuk ka munguar as nga republikanët e as nga demokratët, gjatë kohës sa ata ishin në pushtet.
“Në SHBA pa marrë parasysh nëse kanë qenë republikanë apo demokratët në pushtet për Kosovën kanë qenë mjaftueshëm mirë…Vazhdimisht kemi pasur të dy krahët që e kanë përkrahur Kosovën. Po ashtu, do të vazhdojë edhe tash e tutje të jetë i njëjti qëndrim. SHBA-të kanë në demokraci stabile, një sistem stabil dhe një strategji stabile që e siguron botën për një të ardhme të sigurt”, tha Kuçi.
Ky baner është një mesazh falënderimi për ndihmën e vazhdueshme të Amerikës.