Një sulm rus gjatë natës dëmtoi një fabrikë në qytetin verilindor ukrainas, Sumy, duke lënë të vdekur një grua 48-vjeçare dhe duke lënduar të paktën tetë persona të tjerë, thanë të premten autoritetet lokale.
Sulmi ajror shkaktoi një zjarr, duke i nxitur autoritetet rajonale që të kërkonin nga banorët për të qëndruar brenda dhe për t’i mbyllur dritaret, raporton agjencia “Reuters”.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha se fabrika prodhonte pako për ushqim foshnjash, lëngje dhe produkte amvisërie.
Një sulm me dron goditi një objekt industrial në qytetin Poltava, në pjesën qendrore të Ukrainës, pa shkaktuar pasoja në njerëz, tha guvernatori rajonal, Filip Pronin.
Forca ajrore ukrainase tha se gjatë natës rrëzoi 12 prej 18 dronëve të hedhur nga Rusia në pesë rajone ukrainase. Katër dronë të tjerë ranë në territorin ukrainas.
Sipas forcës ajrore, Rusia gjithashtu gjatë sulmit përdori një raketë të tipit “Iskander-M”.
Edhe Ukraina, edhe Rusia mohojnë se vënë në shënjestër civilë në luftën e nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.