Një burrë i armatosur me thikë u arrestua nga policia belge – pasi thuhet se tentoi të hyjë në zyrat e kryeministrit të Belgjikës në Bruksel, të hënën në mëngjes.
“Një burrë me thikë është ndaluar nga policia ushtarake”, tha të hënën një zëdhënës i kryeministrit Alexander De Croo, shkruajnë mediat e huaja.
“Burri është transferuar në komisariat. Nga incidenti nuk u lënduan oficerët e policisë ushtarake”, shtoi ai.
Policia lokale konfirmoi arrestimin, duke thënë se burri kishte kërcënuar personelin ushtarak të vendosur në vendngjarje, por sipas mediave lokale ata nuk i kanë përcaktuar ende motivet e burrit.
Barend Leyts, drejtori i komunikimit i kryeministrit, tha se De Croo ishte “i tronditur nga incidenti”.
“Dëshirojmë të shprehim falënderimet tona të sinqerta për oficerët e policisë ushtarake. Së bashku me policinë po monitorojmë nga afër situatën. Jemi të lehtësuar që askush nuk u lëndua në incident”, tha De Croo përmes drejtorit të tij të komunikimit.