Produktet e duhanit që importohen apo prodhohen për tregun e Kosovës duhet nga 1 shtatori 2024 të vendosin fotografi me ngjyra apo ilustrime të tjera dhe të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara me udhëzimin e ri administrativ me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe uljen e ndikimit të përdorimit të duhanit.
Ministria e Shëndetësisë thotë se këto vërejtje do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosen dhe produktet e reja të duhanit.
Vërejtjet e prezantuara kanë për qëllim ngritjen e njohurive të duhanpirësve mbi efektet shëndetësore që shkakton përdorimi i duhanit, sigurimin e efektit të vazhdueshëm të vërejtjeve shëndetësore në paketimet e duhanit, inkurajimin e ndërprerjes së duhanit dhe dekurajimin e nisjen ose rinisjen e pirjes së duhanit.
Kjo masë është e rëndësishme për përmirësimin e shëndetit publik dhe për mbështetje të përpjekjeve për kontrollin e duhanit në nivel kombëtar, thuhet në komunikatë.