Ministria e Financave ka bërë të ditur se sot është nënshkruar marrëveshja “Garanci për Ballkanin Perëndimor – Mbështetja e qëndrueshmërisë së ndërmarrësve dhe MSME-ve”.
Sipas njoftimit, kjo marrëveshje kap vlerën e 22.1 milionë eurove dhe është nënshkruar mes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, teksa mjetet janë të destinuara për garantimin e kredive për ndërmarrjet në Kosovë, me theks te ato ndërmarrje në zona të thella rurale.
“Në fjalën e tij përgjatë ceremonisë, Ministri Murati theksoi se marrëveshja e nënshkruar sot do të mundësojë reduktimin e kostos së garantimit të kredive, duke e bërë më të lehtë për institucionet financiare të lëshojnë kredi si dhe më të lehtë për përfituesit që të kenë qasje në financa. Vlen të theksohet se nga 50 milionë euro që është vlera totale që Bashkimit Evropian përmes kësaj iniciative mbështetë Ballkanin Perëndimor, në kuadër të marrëveshjes së sotme, Kosova ka përfituar 22 milionë euro apo 45% të vlerës totale”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se marrëveshja e nënshkruar sot ndërmjet Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe KfW ka për qëllim zgjerimin e qasjes në financa dhe nxitjen e zhvillimit rajonal të balancuar.