Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se që nga pas lufta, rastet e dhunës në familje janë në numër të lartë e me fatalitet. Këto komente gjatë ndriçimit të objektit të Stacionit Policor Qendra, si pjesë e fushatës“ 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Sveçla theksoi se nesër (e martë) do të lansojnë projektin e hallkave për mbikëqyrje elektronike, që ka për qëllim mbrojtjen e viktimave nga dhunuesit.
“Policia e Kosovës është adresa e parë, ku këto viktima drejtohen për ndihmë, ku ndihmën e marrin dhe u ofrohet siguri. Ky fenomen jashtëzakonisht i dëmshëm për shoqërinë tonë dhe i rrezikshëm për vetë viktimat. Jemi dëshmitarë se në vendin tonë, gjatë gjithë këtyre viteve pas luftës kemi pasur raste edhe me fatalitet në rastet e dhunës në familje. Nesër do të filloj implementimi e hallkave elektronike me të cilat do të mbrojmë viktimat nga dhunuesit që dhuna mos të ri-përsëritet më”, tha Sveçla.
Ndërsa, drejtori i policisë së Kosovës, Gazmend hoxha ka apeluar qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje, pasi që sipas tij, Policia është institucion i sigurt për gratë e dhunuara.
“Policia e Kosovës ka qenë e angazhuar gjatë këtyre 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në familje me të gjitha kapacitete e saja, jemi në bashkëpunim me çdo institucion tjetër të Kosovës. I apelojmë qytetarët e Kosovës që te raportojnë rastet e dhunës në familje”, shtoi Hoxha.
E Nënkolonelja Zylfije Dema u shpreh se Policia ka funksionalizuar tri dhoma unike në stacionet policore.
“Është projekti që po implementohet në 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në familje dhe dhunës nën baza gjinore. Me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme sot kemi ndezur dritat. Dritë e shpresës për viktimat e dhunës. Përveç këtij aktiviteti kemi funksionalizuar edhe tre dhoma unike në stacionin policor në Leposaviq, Kaçanik dhe Drenas”, u shpreh ajo.
Nesër përmbyllet fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. /kp