Avokati, Skënder Musa ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhimin e sektorit të Drejtësisë.
Madje sipas avokatit, në Ministrinë e Drejtësisë nuk ka asnjë zhvillim politik dhe asnjë arritje sa i përket gjykatave dhe prokurorive.
Kjo pasi sipas Musës, nuk ndodhë në asnjë shtet tjetër të kërkohet dënimi maksimal, para se të merret gjykimi.
“Mendoj që ka dështuar plotësisht sa i përket drejtësisë, nuk ka asnjë zhvillim pozitiv, nuk ka asnjë të arritur nëse i referohemi gjykatave dhe prokurorive, përkundrazi ndoshta vetëm është penguar puna. Nuk ndodhë në asnjë shtet në botë të kërkohet dënim maksimal para se të merret gjykimi”, ka deklaruar Musa.
Më tej, ai tha se shkeljet që po bëhen nga Institucionet e Kosovës në sistemin e drejtësisë po kanë sukses.
“Efikasiteti në punë duhet të kërkohet nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nga ana e KPK-së, por nuk duhet të kërkohet forma e dënimit dhe sanksionit penal nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, nga Qeveria apo nga Presidenca dhe këto janë shkelje dhe ndërhyrje të pastra që bëhen nga Institucionet e Kosovës në sistemin e drejtësisë dhe në shumë raste po kanë sukses”, shtoi ai në Tëvë1, transmeton TelegramNews.com.
I pyetur për arratisjet e fundit në burgjet e Kosovës, ai tha se ka qenë vetëm një arratisje nga burgu, që sipas tij është Faton Hajrizi.
“Ka qenë vetëm një arratisje, ata janë në arrati, por arratisje nga burgu ka qenë vetëm Faton Hajrizi, ndërkaq këta dy personat e tjerë nuk janë paraqitur për t`u dërguar në Institucionet korrektuese për vuajtje të dënimeve, ata qëndrojnë në arrati por nuk janë arratisur nga burgjet e Kosovës”, tha tutje Musa.