Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë një postim në Facebook, ku u shpreh se për gjashtë muaj qeveria ka mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike.
Tutje, ministri thotë se familjet përfituese, edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike.
“Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme. Mësimet e informatat që kemi mbledhur përgjatë pilotimit 6-mujor do të përdoren që të dizajnojmë masën e rregullt të mbështetjes së familjeve të cenueshme, e cila pritet të ri-aktivizohet në stinën e dimri”, theksoi Murati.