Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka njoftuar se disa pika kufitare janë të bllokuara për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.
Pikat kufitare të bllokuara janë Jarinje, Bërnjak dhe Merdarë. Në këto pika, hyrje-daljet janë të ndaluara për qytetarët kosovarë. Nga ana tjetër, pikat e tjera kufitare, përfshirë Mutivoda, Muçibaba dhe Dheu i Bardhë, që gjithashtu çojnë në Serbi, janë funksionale.
Një grup qytetarësh serbë ka bllokuar këto pika kufitare në shenjë proteste pas aksionit të Policisë së Kosovës që mbylli 5 objekte të paligjshme që operonin si komuna paralele serbe.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës të shmangin kalimin tranzit përmes Serbisë dhe të ndjekin vetëm burimet zyrtare për informacion të saktë, duke u kujdesur për të shmangur dezinformatat.