Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj që nga publikimi i njoftimit nga Gjykata Kushtetuese, që konstaton se Ligji për Pagën Minimale nuk bie ndesh me Kushtetutën, aktgjykimi i plotë s’është publikuar ende.
Murati në Facebook tha se janë dhjetëra mijëra të punësuar që po presin tash e një vit që ky ligj të hyjë në fuqi dhe t’u rriten pagat.
“Aktgjykimi i plotë për Ligjin për Pagën Minimale ende nuk është publikuar, megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj që nga publikimi i njoftimit nga Gjykata Kushtetuese që konstaton se Ligji për Pagën Minimale nuk bie ndesh me Kushtetutën. Janë me dhjetëra mijëra të punësuar që po e presin tash e një vit hyrjen në fuqi të këtij ligji, e me të edhe rritjen e pagës së tyre. Sikur të mos mjaftonte vonesa prej 11 muajsh përgjatë shqyrtimit, ligji ende nuk është në fuqi për shkak të mos-publikimit të aktgjykimit të plotë”, tha Murati.