Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka kaluar çfo kufi me vonesat e për ekzekutimin e pagave.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri u shpreh se kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut dhe të drejtës themelore për të gëzuar pronën.
“Qeveria e Kosovës ka kaluar çdo kufi me vonesat e saj të papranueshme në ekzekutimin e pagave për 80,000 shërbyes publikë. Ky dështim flagrant është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut dhe të drejtës themelore për të gëzuar pronën. Shërbyesit publikë janë shtylla e vendit tonë dhe mohimi i realizimit të pagave të tyre me kohë është një akt i neglizhencës së rëndë dhe mosrespektimit ndaj qytetarëve, njëherësh shërbyesve civil të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq Tahiri tha se AAK-ja do të kërkojë të mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do të kërkojmë menjëherë një seancë të jashtëzakonshme plenare të Kuvendit për ta mbajtur këtë qeveri përgjegjëse. Publiku meriton përgjigje dhe ne kërkojmë veprime të menjëhershme për të korrigjuar këtë padrejtësi”, tha ai. /TelegramNews/