Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se Gjykata ka aprovuar dy vendime në favor të MAPL-së.
Këto vendime kanë të bëjnë me festën e ‘’Vidovdan-it’’ që u mbajt në komunën e Graçanicës.
Njoftimi i plotë:
Dy vendime të aprovuara në gjykatë në favor të MAPL-së.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) përmes shkresës Nr. 020-393/2, të datës 24.06.2024, duke u bazuar në nenin 2 dhe 5, të Ligjit Nr. 03/L-06 për Festat Zyrtare, ka vlerësuar se vendimi nr. 2791/24 për vendosjen e simbolit të komunitetit serb – flamurit kombëtar me rastin e festës 28 qershor 2024 ‘’Vidovdan’’ në komunën e Graçanicës, i miratuar nga Kuvendi i Komunës së Graçanicës, nuk është e përcaktuar si festë zyrtare apo memoriale në Republikën e Kosovës.
Pas pranimit të shkresës Nr. 020-393/2, të datës 24.06.2024, nga MPB, MAPL, përmes zyrtarit monitorues të komunës se Graçanicës, ka kërkuar nga Kuvendi i Komunës së Graçanicës, të ndërmarr veprime për rishqyrtim dhe harmonizim të aktit e lartshënuar me legjislacionin ne fuqi, sipas kërkesës së MPB, Kuvendi i Komunës se Graçanicës, nuk ka rishqyrtuar dhe harmonizuar aktin në fjalë.
Duke pasur në konsideratë se Kuvendi i Komunës së Graçanicës, ka refuzuar të rishqyrtoj dhe harmonizoj, Vendimin nr. 2791/24 për vendosjen e simbolit të komunitetit serb – flamurit kombëtar me rastin e festës 28 qershor 2024 ‘’Vidovdan’’ në komunën e Graçanicës, atëherë MAPL përmes shkresës 020-393/3, të datës 30.07.2024, ka proceduar lëndën në Ministrinë e Drejtësisë, e cila është kompetente të dërgoj lëndën në Gjykatën kompetente, siç përcaktohet me nenin 82.4, të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.
Gjykata themelore, tashmë ka aprovuar si të bazuar propozimin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në të cilën shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.2791/24 i datës 07.06.2024 i Komunës së Graçanicës, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses./Telegram News