Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, të mërkurën e ofroi dorëheqjen e tij nga posti, tha kryetari i Kuvendit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.
Stefanchuk-u tha se kërkesa për dorëheqje do të diskutohet nga deputetët së shpejti, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ishin duke u ndërmarrë ndryshime në kabinetin qeveritar për ta fuqizuar atë dhe për t’i arritur rezultatet që i duhen Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.
Gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”, të martën raportoi se edhe katër ministra të tjerë e kishin dorëzuar dorëheqjen: Olga Stefanishyna, zëvendëskryeministrje për Çështje Evropiane; Oleksandr Kamyshin, ministër i Industrive strategjike – që ka luajtur rol të rëndësishëm për shtimin e prodhimit të armëve; Denys Maliuska, ministër i Drejtësisë; dhe Ruslan Strilets, ministër i Mjedisit.
Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Qeveria për ofrimin e dorëheqjeve dhe mbetet e paqartë nëse ndonjëri prej këtyre figurave do të emërohet në pozita të tjera të larta.
Presidenti ukrainas kishte dhënë shenjë javën e kaluar se një riformatim i kabinitetit ishte afër, ndërsa udhëheqësi i grupit parlamentar të partisë së tij në Kuvend tha të martën se me gjasë, gjysma e ministrave të tanishëm do të zëvendësohen.
Ukraina po ballafaqohet me sfida të reja të rëndësishme në luftë, përderisa po ka vështirësi për t’i kufizuar avancimet ruse në lindje të vendit dhe po synon që t’i pengojë planet e Moskës përmes sulmit në rajonin Kursk të Rusisë, që e nisi në mënyrë të befasishme muajin e kaluar.