Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas situatës së krijuar sot në Kuvendin e Kosovës, ku kryeparlamentari Glauk Konjufca ndërpreu seancën për shkak të pjesëmarrjes së deputetëve të Listës Serbe.
Në një postim në Facebook, Kusari-Lila deklaroi se deputetët e Listës Serbe shfaqen në Kuvend shumë rrallë dhe se ata nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës, por veprojnë në mbështetje të atyre që promovojnë politikat agresive të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Sot vazhduam me një agjendë dinamike legjislative. U miratuan një grup ligjesh që bartin potencial për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm. Të gjitha ato kanë në qendër mirëqenien e qytetarëve dhe forcimin e institucioneve të shtetit tonë. Po ashtu, sot ishim dëshmitarë të një provokimi nga ana e deputetëve të Listës Serbe. Ata siç e kanë bërë zakon, shfaqen një herë në gjashtë muaj dhe ndërmjet i bëhen krah jo qytetarëve të Kosovës, por terroristëve dhe gjithë atyre që mbështesin politikat agresive të Vuçiqit. Siç e tha Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, s’kanë çka kërkojnë mbështetësit e kryeterroristit në Kuvendin e qytetarëve,” shkroi Kusari-Lila.
Ajo theksoi arritjet e legjislaturës aktuale, duke përmendur se janë miratuar mbi 300 ligje të reja dhe veçoi disa nga ligjet e miratuara sot, si Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Paligjshme, Ligjin për Banimin Social dhe të Përballueshëm, si dhe Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor.
“Urime dhe puna vazhdon pa ndalur!” përfundoi ajo mesazhin e saj.