Palestinezëve që telefonojnë të afërmit që gjenden në Gaza përmes Skype u është shkatërruar jeta dixhitale, pasi Microsoft mbylli llogaritë e tyre të emailit, pa paralajmërim.
BBC News ka folur me 20 palestinezë që jetojnë jashtë vendit, të cilët thonë se Microsoft, i cili zotëron aplikacionin e thirrjeve me zë dhe video Skype, i ka përjashtuar nga llogaritë e tyre. Numri total i të prekurve mendohet të jetë shumë më i lartë.
Në disa raste, këto llogari të postës elektronike janë më shumë se 15 vjeç dhe përdoruesit nuk kanë asnjë mënyrë për tu qasur në email, kontakte ose kujtime të cilat ruhen në email.
Microsoft thotë se ata kanë shkelur kushtet e përdorimit duke mos përmendur shkeljet e tyre dhe duke ju thënë se vendimi është përfundimtar, çka nënkupton se llogaritë e tyre nuk do të kthehen në përdorim më.
Nga Gaza thonë se nuk kanë lidhje me Hamasin – të cilësuar si organizatë terroriste nga disa vende perëndimore, përfshirë SHBA-në, ku ka selinë Microsoft – dhe akuzojnë gjigantin e teknologjisë, kompaninë më të vlefshme në botë, se i persekuton ata në mënyrë të padrejtë.
Salah Elsadi jeton në SHBA dhe, si shumë palestinezë jashtë vendit, po përdorte Skype për të telefonuar gruan, fëmijët dhe prindërit e tij në telefonat e tyre celularë në Gaza.
Interneti shpesh ndërpritet ose fiket për shkak të fushatës ushtarake izraelite – dhe telefonatat standarde ndërkombëtare janë shumë të shtrenjta.
Me një abonim të paguar në Skype, është e mundur të telefonosh celularët në Gaza me çmim të ulët – dhe ndërkohë që interneti është në ndërprerje – Skype është bërë një mjet shpëtimi për shumë palestinezë.
Ai ka humbur ofertat e punës dhe nuk mund të hyjë më në llogaritë e tij bankare, të cilat janë të lidhura me llogarinë e tij Hotmail, thotë ai.
“Unë e kam këtë Hotmail për 15 vjet,” thotë z. Elsadi.
“Më ndaluan pa arsye, duke thënë se kam shkelur kushtet e tyre – çfarë kushtesh? Më thoni.
“Kam plotësuar rreth 50 formularë dhe i kam thirrur shumë herë”.
Të tjerë janë ankuar në rrjetet sociale për trajtim të ngjashëm.
Disa kanë frikë se po akuzohen gabimisht se janë pjesë e Hamasit.
“Ne jemi civilë pa prapavijë politike që thjesht donim të kontrollonim familjet tona,” thotë Eiad Hametto. Ai po telefononte familjen e tij nga Arabia Saudite.
“Ata kanë pezulluar llogarinë time të emailit që e kam pasur për gati 20 vjet.
“Ishte e lidhur me të gjithë punën time.
“Më vranë jetën në internet”.
Microsoft nuk iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave që këta njerëz janë etiketuar si Hamas – por një zëdhënës tha se nuk i bllokoi telefonatat ose nuk i ndaloi përdoruesit bazuar në rajonin ose destinacionin e thirrjeve.
“Bllokimi në Skype mund të ndodhë si përgjigje ndaj dyshimeve për aktivitet mashtrues”, thanë ata pa dhënë detaje. Dhe përdoruesit mund të apelojnë.
Por shumë prej atyre kan thënë se janë përpjekur shumë herë dhe po marrin të njëjtën përgjigje të përgjithshme.
Përderisa, Khalid Obaied, ka humbur besimin me Microsoft.
“Unë nuk u besoj më atyre,” thotë ai.
“Kam paguar për një paketë për të bërë telefonata – pas 10 ditësh, më ndalojnë pa arsye.
“Ata nuk kanë dhënë kurrë një arsye.
“Kjo do të thotë se është vetëm sepse unë jam një palestinez që e thërras Gazën.”