Shuma e shpenzuar e buxhetit për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore gjatë vitit shkollor 22/23, ishte mbi 11 milionë euro. Kështu u tha në komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor, ku deputetët thanë se ka ende familjarë që ka marrë pagesat, derisa ministrja e Arsimit nuk kishte informata.
Nagavci ka thënë se për ciklin e klasave 1-5, familjet blerja e teksteve shkollore ishte 5 milionë euro, ku përfitues janë mbi 115 mijë prindër pagesa të realizuara.
“Kemi kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit për të na informuar për nxënësit që nuk janë të furnizuar me tekstet shkollore, nuk kemi pas ndonjë informatë se dikush nuk është pajisur me tekste. Gjatë vitit shkollor 22/23, shuma e buxhetit të shpenzuar për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore në total mbi 11 milionë euro.. Për klasën 1-5, familjet janë furnizuar me 50 euro. 1-9 me 30 euro, nxënësit për mjetet shkollore. 1-5 blerja e teksteve shkollore ka kushtuar 5 milionë. Përfitues për klasën 1-5, janë 115 e 381 prindër apo kujdestarë pagesa të realizuara. Nga 30 euro 197 mijë përfitues. Cikli 1-9 të regjistruar 2022/23 215 mijë nxënës”, ka thënë Nagavci.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka pyetur ministren se a është bërë kompletimi i furnizimit me datë të saktë i shkollave dhe nxënësve me tekste shkollore.
“Kur është bërë kompletimi i furnizimit me datë i shkollave dhe nxënësve me tekste? Kemi shqetësime që nuk është bë në të njëjtën kohë, në komunën e Gjakovës, kemi vërejtje që ende qytetarët nuk i kanë marrë paratë për tekste. A e arritët qëllimin e përmirësimit të furnizimit të nxënëseve? A ju doli më lirë se vitin e kaluar një proces i tillë?”, ka pyetur Dreshaj.
Nagavci është kundërpërgjigjur se pagesat kanë vazhduar deri në prill të 2023-tës.
“Kompletimi i furnizimit, ne kemi vazhduar me pagesa deri në prill te vitit të kaluar. E kemi hapur në gusht, pagesat e para janë realizuar në muajin gusht, kush ka aplikuar më vonë apo ka pasur sfida janë realizuar edhe në shtator, tetor e me radhë. Sa i përket Gjakovës apo komunave të tjera e përsëris se personalisht nuk jam në njohuri. Nuk mbaj mend që kemi asnjë ankese, kërkesë apo shqetësim nga drejtoresha komunale e arsimit në Gjakovë. Vlera ka qenë më e ulët. Në një vit paraprak 17 milionë euro”, është përgjigjur Nagavci.
Po ashtu, deputeti i LVV-së, Armend Muja ka vërejtje për mungesën e të gjithë nxënësve me tekste shkollore.
“Mua nuk më mjafton kjo deklaratë, duhet të jetë e qartë. Jo të gjithë janë pajisur me tekste mësimore, po thoni se janë 197 mijë përfitues. Çfarë masash ka marrë ministria për t’u kujdesur që të gjithë të kenë qasje?”, ka shtuar Muja.
Ministrja ka shtuar se ka pasur edhe prind të cilët kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të aplikojnë sepse nuk kanë nevojë.
“Ka pasur prind që kanë deklaruar se nuk dëshirojmë të aplikojnë se nuk kanë nevojë”, ka shtuar Nagavci.
MAShT furnizon edhe fëmijët e mërgatës me tekste shkollore.