Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se raketat antitank “Javelin” do të jenë në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas tij në kohën e duhur.
Në një konferencë për media, Maqedonci tha se deri në fund të këtij viti pritet që do të kryhet pagesa e këstit të dytë.
“Sa i përket raketave “Javelin”, Ministria është duke vazhduar me procedurat për prokurimit. Në mars të këtij viti kemi ekzekutuar këstin e parë, ndërsa deri në fund të vitit do të ekzekutojmë edhe këstin e dytë. Jemi në rrugën e duhur ta kemi këtë sistem në kohën e duhur”, tha ai.
Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. Kërkesa i ishte dërguar Kongresit Amerikan, i cili miratoi blerjen në shkurt të këtij viti.