Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë vizitës në Serbi, lavdëroi marrëdhëniet mes Francës dhe Serbisë dhe theksoi përmirësimin e bashkëpunimit në sektorët ekonomikë dhe kulturorë.
Macron aty pati disa fjalë për Serbinë, sipas raportimit të mediumit publik serb “RTS”, transmeton Gazeta Express.
“Dua t’ju them se Franca është mike e Serbisë dhe unë personalisht jam mik i Serbisë. Kemi bisedime në nivel strategjik në të gjithë sektorët, ekonomikë dhe kulturorë. Mendoj se i kemi përmirësuar rrënjësisht marrëdhëniet mes Francës dhe Serbisë. Faleminderit shumë për këtë vizitë, faleminderit për miqësinë tuaj. Dijeni se Franca është një mik besnik i Serbisë”, tha Macron në fund të fjalimit të tij.
Ai falënderoi për miqësinë dhe vlerësoi menaxhimin e aeroportit të Beogradit nga kompania franceze Vansi.
Në përfundim të vizitës, Macron dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq morën pjesë në ceremoninë e përfundimit të modernizimit të aeroportit “Nikola Tesla”.