Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, beson se mund të jetë lojë politike dhe inskenim pushteti ftesa për dëshmi nga Prokuroria Speciale e kryeministrit Albin Kurti.
Sipas Lushtakut pushteti mund ta ketë bërë këtë në mënyrë që siç ka thënë ai ‘të viktimizohen dhe të mbulojnë dështimet që i kanë bërë gjatë katër viteve’.
“Unë besoj që me të vërtetë është një lojë politike në këtë pjesë që ka mundësi që vet e ka inskenu edhe pushteti vetëm e vëtëm që të viktimizohen dhe të mbulojnë dështimet që i ka bërë gjatë katër viteve në përgjithësi dhe pastaj del e ankohet se shikoni çfarë po më bën mua drejtësia dhe opozita dhe kështu me rradhë”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Kryeministri Albin Kurti është ftuar për dëshmi nga Prokuroria Speciale. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.