Lista Serbe është parti legale politike në Kosovë, e cila me shumicë dërmuese të votave, përfaqëson serbët e Kosovës, por përfaqësimi me qëndrimet e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ndanë edhe serbët e Kosovës në dysh.
Ata që e pranojnë Kosovën si shtet të vetin dhe serbët që nuk e pranojnë Republikën e Kosovës si shtet të vetin, ashtu sikur edhe qëndron de fakto ndarja në serbët nga veriu dhe serbët këndej lumit Ibër.
“Lista Serbe, është parti politike që përfaqëson serbët e Kosovës, por punon dhe vepron kundër interesave të shtetit të Republikës së Kosovës dhe shumë shpesh atakon edhe rendin kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës, veçmas në veri të vendit”, ka thënë avokati i mirënjohur Skënder Musa dhe shton:
“Dyshohet se Lista Serbe vepron në Kosovë edhe prapa perdes politike, duke vënë në shënjestër serbët që tregojnë lojalitet ndaj shtetit të Republikës së Kosovës, veprim që e bën duke hedhur granata dore në objekte banimi serbë e duke i djegur veturat private serbe dhe veturat e institucioneve. Se këto akte vandale të sulmeve me predha të asgjësimit masiv paraqesin dyshim për veprimtari kriminale të Listës Serbe, dëshmon më së miri Sulmi terrorist i Banjskës, në krye të të cilit qëndronte nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, ndërsa në dhjetëra akte tjera kriminale janë përfshirë edhe Goran Rakiq, Sllavko Simiq dhe e gjithë struktura e kësaj partie që merr direktiva nga Beogradi.
Është e pa imagjinueshme se si Lista Serbe merr direktiva kriminale direkt te Vuçiqi dhe i zbaton ato për shkelje të sovranitetit të shtetit të Kosovës, duke u paguar nga buxheti i Kuvendit të Kosovës dhe duke u përkëdhelur madje edhe nga spektri politik kosovar shqiptar për ta shfrytëzuar ndikimin e saj votues në Kuvend për ta formuar Qeverinë, por edhe për zgjidhje tjera si në votimin e Presidentes, gjykatësit kushtetues dhe pagës minimale që doli në publikimin e audio incizimit të fundit.
Praktika e funksionimit të Listës Serbe me instruksione të Beogradit për sulme të vazhdueshme ndaj shtetit të Republikës së Kosovës, duhet të shqyrtohet dhe të ndryshohet. Veprimet armiqësore të Listës Serbe në Kosovë, duhet të ndiqen politikisht dhe penalisht nga Komisionet Hetuese brenda Kuvendit dhe nga Prokuroria e shtetit, sepse jemi kah shohim sa frone po hapen vetëm nga një përgjim i Radoiçiqit me Mimoza Kusari-Lilën, e cila nxjerr disa dyshime për hetime të mundshme dhe intevristim të saj nga Prokuroria, sepse ajo ka kërkuar të merret vesh me Milan Radoiçiqin për pagën minimale, për emërimin e një gjyqtari kushtetues, duke treguar te krye krimineli edhe shifra të veteranëve të UÇK-së, që janë gjëra të klasifikuara. Tash kur po paralajmërohen edhe publikime tjera nga biseda Radoiçiq – Kusari -Lila, të cilat i konfirmoj edhe Sllavko Simiç dhe Vehbi Kajtazi, pa paragjykuar se çka do të zbulohet që kanë folur, Mimoza Kusari -Lila, është mirë të intervistohet nga Prokuroria, në mënyrë që të qartësohet , nëse ka vepër spiunimi ndaj shtetit, apo nuk ka, dhe ky akt do ta stoponte valën e akuzave dhe kundër akuzave të njerëzve që kanë folur e nuk kanë folur me Radoiçiqin dhe Listën Serbe. Se duhet të intervistohet Kusari Lila, mjafton edhe fakti se ka folur me Radoiçiqin, i cili veç ishte vënë nën sanksione amerikane dhe në Listën e Zezë të SHBA-së, derisa Mimoza Kusari -Lila dhe krye terroristi serb Milan Radoiçiq, kuptoheshin qartësisht mirë mes vetes, për t’i kryer njëri-tjetrit punë dhe detyra që prekin ingerenca institucionale dhe shtetërore .Brenda kësaj marrëveshjeje ndodhte një intrigë e Shefes së grupit Parlamentar të LVV-së e cila gjuante benzinë për një konflikt masiv mes veteranëve të UÇK-së dhe deputetëve të PDK-së që ishin mes tyre, pasi Mimoza Kusari-Lila, akuzonte publikisht PDK-në si partinë që e kishte sjellë Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës”, ka elaboruar situatën shumë dramatike të atij momenti Avokati Skënder Musa, duke dhënë indicje se Kusari provokonte konflikt masiv në perimetrin e Kubendit të Kosovës.
Zgjerohen akuzat për biseda me Radoiçiqin dhe paralajmërohen padi të reja
Në emisionin Pressing të Televizionit T7 të mërkurën, gazetari dhe analisti Baton Haxhiu ka thënë ta ketë dëgjuar në redaksinë Albanian Post, bisedën e deputetit të LVV-së Armend Muja duke folur me Milan Radoiçiqin dhe se përkundër insistimit të redaksisë për publikim të kësaj bisede nën dyshimin se zëri që dëgjohej ishte i Armend Mujës, vetë ai (Baton Haxhiu) kishte hequr dorë nga publikimi meqë, nuk e kishte besimin e publikimit pa e parë foton e Mujës.
Ky dyshim i baton Haxhiut, siç tha ai, mund të cilësohet si konfirmim hipotetik se ai që fliste me Radoiçiqin, ishte Armend Muja, por nuk ishte i sigurt ta publikonte bisedën pa e parë foton e tij.
Pa ditur se biseda e tij me Radoiçiqin do të bëhej temë e nxehtë debati akoma pa u mbushur një orë kohë Armend Muja, kishte mohuar në emisionin Pressing se kishte folur ndonjëherë me Milan Radoiçiqin.
Se Lista Serbe po bëhet mollë sherri në mes blloqeve politike shqiptare të Kosovës pozitë-opozitë, flet edhe rasti i paralajmërimit të padisë së kandidatit për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza kundër deputetit të LVV-së Adnan Rrustemi për shpifje ndaj tij, se Hamza kishte takim me Listën Serbe.
Me Listën Serbe, kanë fol të gjithë pos LDK-së thotë analisti Blerim Burjani
Pofesori universitar dhe eksperti juridk Blerim Burjani, ka thënë për Telegram News se në historikun e ekzistimit të Listës Serbe, ajo ka kryer punë në çdo qeveri të Kosovës.
“Realisht të gjitha qeveritë kanë pasë kontakte, apo kanë bashkëpunuar me Radojçiqin me përjashtim të LDK-së. Të tjerët në një mënyrë, apo tjetër kanë pasë kontakte me Listën Serbe. Prokuroria duhet të punojë në drejtimin nëse ka diçka lidhur me tenderët që i kanë dhënë kompanisë së Radojciqit dhe në cilën mënyrë është bërë ai milioner. Aty duhet gjetur me cilat para është blerë armatimi për sulmin terrorist në Banjskë. Keto janë elemente të veprës penale , kush e përkrahu Radojçiqin dhe i dha tenderë? Të tjerat nuk çojnë peshë. Kush foli e kush nuk foli me Rajdojçiqin, sepse të gjithë kanë folë me te.
Reale është se me Listën Serbe i kanë bërë qeveritë edhe të tjerët dhe bile edhe ligje dhe të gjithë janë pergjegjës për këtë gjendje, nëse veç duhet të thuhet. Ky pazar ka ekzituar gjithmonë mes tyre, sikur me VV sikur me tjerët, këtu s’ka çka thuhet as më shumë e as më pak, kjo dihet këta si VV kanë folë për punët e veta në Kuvend, edhe ata më herët për problemet e veta”, ka thënë Burjani.
Analisti Selatin Retkoceri: Koordinimi LVV -Radoiçiq, tradhëti kombëtare
Nëse “dita e mirë shihet në mëngjes”, sot ka përfunduar puna e kësaj legjislature.
Kështu parasheh dhe vlerëson analisti dhe profesori Mr.Sc. Selatin Retkoceri i cili për Telegram News thotë:
“ Bazuar në atë se çka u tha nga kryetarët e grupeve parlamentare dhe vetë Mimoza Kusari Lila, këtu kemi të bëjmë me tradhëti kombëtare, vepër penale, krim apo agresion mbi vlerën më sublime të arritur me shumë mund e sakrificë të këtij populli, që sipas meje është Parlamenti i Kosovës”, vlerëson Retkoceri dhe shton:.
“Në kushte dhe rrethana të tilla më e pakta që do të duhej të ndodhte në këtë seancë, do të duhej lejuar debati nga shumica parlamentare, por njëkohësisht një lloj si rrugëdalje nga qorrsokaku do të ishte dorëheqja e zonjës Kusari, jo vetëm nga pozita e kryetares por ta dorëzonte pozitën e deputetes. Mendoj se kjo do të ndihmonte së paku përkohësisht derisa të krijoheshin kushtet për debat parlamentar për skandalin e përgjimeve.
Arsyetimet e kryetares ishin shumë periferike dhe akuzuese për PDK-në e AAK-në, derisa si në dritë të diellit dukej se Mimoza ka rrëshqitur në vepër penale e në krim, duke biseduar e bashkëpunuar me kryekriminelin Radojçiq i cili gjatë kohës kur është zhvilluar biseda dhe marrëveshja për të përjashtu luftëtarët e UÇK-së nga rritja e pagës minimale, Radojçiq ka qenë në Listën e Zezë të Ameikës”, ka thënë Rekoceri./Telegram News