Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para studentëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se Kosova është njëra ndër shtetet e botës që iu është bashkuar sanksioneve të shteteve ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë.
Kurti tha se Serbia mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe se lidhja e tyre orientohet nga ekonomia dhe ideologjia.
“Ne jemi veçanërisht të cenueshëm ndaj agresionit rus, sepse Serbia mban lidhje të ngushta me Rusinë. Lidhjet nuk janë pothuajse historike apo fetare. Dy vende që janë thellësisht të orientuara nga ekonomia dhe ideologjia.Rusia ka shumicën e aksioneve në kompanitë energjetike serbe dhe investimet ruse në Serbi u rritën 8 herë më shumë që nga pushtimi i Ukrainës. Por ndikimet dalin për tej energjisë, përfshijnë universitetet, mediat dhe sferën intelektuale”, tha kryeministri.
Ai e ka përmendur edhe Serbinë e cila ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
“Serbia është shteti i vetëm evropian i cili ka refuzuar të vendos sanksione ndaj Moskës për luftën në Ukrainë. Po ashtu nuk ka ngritur asnjë kundërshtim edhe për ndonjë luftë tjetër të Rusisë që ka nisur, përfshirë edhe luftën në Gjeorgji, dhe invazionin në Ukrainë të vitit 2014. Ky bashkëpunim po ashtu ka thirrur edhe prezencën e Kinës, e cila është partneri kryesor tregtar i Serbisë jashtë BE-së”, ka thënë Kurti.