Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se punësimi në Kosovë me mbështetjen qeveritare është rritur për 45 për qind.
Kështu deklaroi Kurti në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të mbështet sektorin privat i cili është faktor i përkushtimit dhe zhvillimi e bizneseve në vend. Buxheti shtetëror është rritur për 35 për qind më i lartë, pa dyshim që ky ka ndikuar në rritjen e fitimit dhe zgjerimit të aktivitetit të zhvillimit rajonal. Në vitin 2024, Bruto Produkti Vendor është më i lartë për 45 për qind e që kjo është përkthyer edhe me punësim, ku në Kosovë është rritur punësimi. Kemi ndarë 5.5 milionë euro për bizneset e vogla për t’i përkrahur nga sfidat lokale”, tha Kurti.
Derisa, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tha se kanë arritur t’i mbështesin bizneset me makineri të reja dhe t’i rrisin kapacitetet e tyre prodhuese.
Më tej Damka theksoi se që nga hapja e thirrjes, kanë qenë mbi shtatë mijë aplikime, ndërsa vlera e projektit është 6 milionë e 875 mijë euro.
“Në këtë ceremoni të rëndësishme ne po nënshkruajmë kontratat e përfituesve dhe ky është një moment që reflekton angazhimin tonë, duke bërë çdo cep të vendit tonë një vend më të mirë për të punuar dhe jetuar. Me këtë program ne po investojmë në të gjithë vendin. Kryeministri ka qenë gjithmonë mbështetës në udhëheqjen e tij dhe ne kemi arritur një rezultat konkret për të zhvilluar vendin. Kemi arritur të krijojmë e të mbështesim bizneset me makineri të reja, si dhe të rrisim kapacitetet e tyre dhe për të krijuar mundësi që të krijojnë bizneset e tyre. MZHR gjatë kësaj periudhe kanë pranuar 7 mijë e 564 aplikime nga aplikantët potencial në vlerë prej 6 milionë e 875 mijë euro”, tha ai.