Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e Kosovës, pagat në sektorin publik i ka rritur vitin e kaluar dhe se sivjet po rrit pensionet 20%, ku do të përfitojnë mbi 300 mijë persona në vend.
“Kemi pasur pa numër masa të ndryshme që i kanë ndihmuar kategoritë e ndryshme shoqërore, me ç’rast duhet theksuar se pagat në sektorin publik janë rritur në vitin e kaluar. Sivjet po rriten pensionet, ndërkohë që në mandatin tjetër, ne do ta bëjmë reformën pensionale. Vjet janë rritur pagat në sektorin publik dhe kemi pasur një rritje të ndjeshme, të paprecedentë në Kosovën në këto vitet e fundit, andaj tash jemi të përqendruar te rritja e pensioneve”, tha ai.
Ai tha se kjo rritje po bëhet këtë muaj, pasi duan ta fusin këtë në planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.
“Këtë po e bëjmë tash në muajin tetor, meqenëse në të njëjtën kohë jemi duke e shkruar edhe buxhetin për vitin 2025 që do të votohet në këtë muaj në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pra, rritja e këtyre pensioneve është duke u bërë në kuadër të planifikimeve tona afatmesme dhe afatgjata. Përpara, në rastin më të mirë ka pasur planifikime afatshkurtra”, tha Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo rritje e pensioneve u bë e mundur “falë politikave të mirëmenduara dhe rritjes së të hyrave”.