Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka certifikuar 11 subjekte politike me 606 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së tha se janë në pritje të certifikimit edhe 17 subjekte politike me 674 kandidatë.
Elezi bëri të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë është 1280, ndërsa deri tani ky institucion ka certifikuar 606 prej tyre.
“Për pjesën e mbetur të subjekteve politike dhe kandidatëve, janë duke u shqyrtuar të gjitha aplikimet edhe në raport me aspektet tjera të ligjit dhe shumë shpejt do të përgatiten rekomandimet, të cilat do të prezanohen në mbledhjen e KQZ-së”, tha Elezi.
Ai mes tjerash bëri të ditur se asnjëri nga mbi 1 mijë kandidatët për deputetë nuk ndodhet në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me dënime në tri vitet e fundit.
“Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër tjerash parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili “është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, andaj kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë verifikimin në raport me këtë kufizim ligjor. Përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është se asnjëri nga 1 mijë e 280 kandidatët e 28 subjekteve politike nuk bie ndesh me këtë pjesë të ligjit”, shtoi Elezi.