Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në hartimin e Projektligjit për realizimin e të drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor. Megjithatë, u tha se ky projektligj është kompleks dhe ka kosto të lartë buxhetore që duhet të jetë parasysh nga Kuvendi i Kosovës.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se ky institucion ka dhënë komentet e para në grupet punuese për këtë nismë qeveritare, mirëpo shtoi se do të ketë një kërkesë që gjyqtari i çështjes të ketë mundësi të reflektojë mbi urgjencën e lëndës dhe po ashtu të ketë një justifikim për të treguar pse është penguar procesi gjyqësor në një kohë të caktuar.
“Janë dhënë komentet besojmë se do të jepen edhe komente të tjera. Kemi propozuar që përfundimisht nëse kjo nismë shkon në Kuvend atëherë të jetë një mundësi për letër urgjencë që i drejtohet gjyqtarit të çështjes dhe të ketë një periudhë kohe kur gjyqtari do të ketë mundësi të reflektojë mbi urgjencën, po ashtu të ketë edhe justifikim që e ka pengu procesin gjyqësor në kohë të caktuar. Në këtë mënyrë komisioni apo paneli që merret me çështjen të ketë rrethana të qarta në lidhje me atë çështje. Megjithatë është një nismë komplekse ka qëndrime të partnerëve dhe ekspertëve por ne do të jemi si institucion instensivisht dhe besoj se komentet tona do të jenë të të dobishme pasi si përfundim ne duhet të përfundojmë atë ligj. Impakti financiar do të jetë i jashtëzakonshëm dhe kuvendi duhet të merr parasysh mbulimin financiar për kompensim. Propozimet e KGJK-së do të jenë serioze”, tha ai.
Në anën tjetër, anëtari i KGJK-së, gjyqtari, Artan Abazi, tha se barrën kryesore për këtë projektligj duhet të ketë KGJK-ja, pasi e ka rolin kyç në zbatimin e tij.
“Përkundër faktit se ne si gjykata kemi bazën ligjore edhe mos ta kishim fare këtë ligj pasi kemi nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 6 të Konventës së drejtave të njeriut që na obligon që çështjet t’i gjykojmë brenda një afati të arsyeshëm kohor. Megjithatë nëse është e nevojshme që ky ligj të futet në fuqi dhe që ka parapa të arsyeshme organet kompetente atëherë mirë kishte me qenë që sistemi gjyqësor të ketë rolin kyç pasi ne kemi me zbatu këtë ligj dhe mos të shkaktojmë probleme sesa të zgjidhim atë. Nëse do të paraqiten problemet, duke marrë parasysh se kemi edhe numër të lartë të lëndëve atëherë veçse do ta bënim të paqartë situatën”, tha ai.
Krahas këtyre, në mbledhjen e sotme KGJK-ja, mori një sërë vendimesh, ku mes tjerash dërgoj emrat e disa gjyqtarëve për dekret nga presidentja, Vjosa Osmani, si dhe hapi disa konkurse në disa prej gjykatave në Kosovë. /Kp