Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përzgjedhur kardiokirurgun e famshëm me prejardhje turke, Dr. Mehmet Oz, për t’i udhëhequr Qendrat për Shërbime të Kujdesit Shëndetësor dhe Ndihmës Shëndetësore, agjenci federale kyçe që e mbikëqyr mbulimin me sigurime shëndetësore për më shumë se 150 milionë amerikanë.
“E kam njohur Dr. Oz për shumë vjet dhe unë kam besim që ai do të luftojë për t’u siguruar që secili në Amerikë ta marrë kujdesin shëndetësor më të mirë të mundshëm, në mënyrë që vendi ynë të mund të jetë i Mrekullueshëm dhe i Shëndetshëm përsëri!” – shkroi Trumpi në një deklaratë të martën, raporton televizioni CNN.
“Dr. Oz do të jetë udhëheqës në nxitjen e Parandalimit të Sëmundjeve, në mënyrë që ne t’i marrim rezultatet më të mira në Botë për secilin dollar që e shpenzojmë në kujdes shëndetësor në Vendin tonë të Mrekullueshëm” – shtoi presidenti i zgjedhur.
Trumpi, që po synon t’i zvogëlojë shpenzimet në qeverinë federale dhe për një kohë të gjatë e ka pasur në mendje këtë agjenci për këtë qëllim, gjithashtu premtoi se Oz do të bëjë tkurrje.
“Ai gjithashtu do t’i zvogëlojë humbjet dhe mashtrimet brenda agjencisë sonë më të shtrenjtë qeveritare, që është një e treta e shpenzimit të vendit tonë në kujdes shëndetësor dhe çereku i tërë buxhetit tonë kombëtar” – thuhet më tej në deklaratën e fituesit të zgjedhjeve presidenciale, duke iu referuar Ozit.
Oz, kardiokirurg dhe personalitet televiziv, kishte garuar pa sukses për Senat më 2022 në Pensilvani, me mbështetjen e Trumpit. Ai kishte humbur kundër kandidatit demokrat, John Fetterman.
Mehmet Oz është lindur në vitin 1960 në Ohio. Prindërit e tij, Suna dhe Mustafa Oz, kishin emigruar nga province Konya e Turqisë. Oz ka thënë se emrin e ka sipas Sulltan Mehmetit, që e kishte pushtuar Konstandinopojën më 1453.