Gjatë së hënës edhe zyrtarisht është bërë hapja e Javës së Krenarisë, me moton “Kemi qenë dhe do jemi të gjithë në Republikën e Kosovës”.
Javë kjo e cila u dedikohet pjesëtarëve të komunitetit LGBTQ, të cilët me marsh e protesta kërkojnë vetëdijesimin e opinionit për për të drejtat e komnitetit LGBTI dhe njohjen e të drejtave ligjore për martesa mes personave të gjinisë së njëjtë.
E qëndrimet e shoqërisë kosovare karshi këtij komuniteti, sociologia, Bleona Kurteshi thotë se po reflektojnë një spektër perspektivash.
Ajo thotë për Telegrami.co, se pavarësisht tendencave sfidat për këtë komunitet mbeten në arritjen e gatishmërisë së gjerë shoqërore.
“Në shoqërinë kosovare, qëndrimet ndaj komunitetit LGBTIQ reflektojnë një spektër perspektivash. Ani pse janë bërë hapa të rëndësishëm vitet e fundit drejt pranimit dhe përfshirjes më të madhe, sfidat mbeten në arritjen e gatishmërisë së gjerë shoqërore. Faktorë të ndryshëm, duke përfshirë normat kulturore, besimet fetare dhe kontekstet historike, formojnë qëndrimet ndaj individëve LGBTQ”, tha Kurteshi.
Por që sipas Kurteshit, në shoqërinë kosovare ka një ndryshim gradual drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më të barabartë.
“Përpjekjet drejt nxitjes së mirëkuptimit dhe tolerancës janë të vazhdueshme me iniciativa që synojnë promovimin e dialogut dhe edukimit për çështjet që lidhen me orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Ka një ndryshim gradual, por të dukshëm drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më të barabartë”, shtoi ajo.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se mos votimi i Kodit civil, tregon se duhet punë e angazhim me emancipimin e të drejtave të njeriut.
“Na pret një javë me plot aktivitete për mbështetjen e LGBTQ, Kushtetuta jonë lartëson të drejtën e njeriut. Mosvotimi i Kodit Civil në vend, i cili do t’i hapte rrugë ligjit të veçantë për bashkësi civile, por edhe martesat, na ka treguar që duhet punë, angazhim e emancipim shoqëror në fushën e të drejtave të njeriut”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, në Kosovë nuk lejohen martesat mes personave të gjinisë së njëjtë. Kjo gjë ishte paraparë të rregullohej me Projektkodin Civil, i cili nuk ka marrë mbështetje në Kuvendin e Kosovës.
Teksa në kuadër të Javës së Krenarisë është planifikuar edhe mbajtja e një parade në Prishtinë, më 8 qershor./Telegrami.co/.